Gjetjet kryesore nga Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD) për vitin 2024


Ky botim përmbledh gjetjet kryesore nga faza e 8-të e Projektit Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD), që u zhvillua me pjesëmarrjen e 113 882 nxënësve të moshës 15 deri në 16-vjeçare, në 37 shtete evropiane në vitin 2024. Ky publikim shënon 30-vjetorin e monitorimit të sjelljeve të rrezikshme të adoleshentëve në Evropë dhe paraqet një fokus të ri në mirëqenien mendore dhe aktivitetet parandaluese, duke vënë në pah rëndësinë gjithnjë e në rritje të këtyre faktorëve në formësimin e rezultateve të lidhura me shëndetin e adoleshentëve.
Ky raport i gjetjeve kryesore është i disponueshëm në 33 gjuhë dhe i optimizuar për shikueshmëri në internet. Një raport më gjithëpërfshirës, Raporti i ESPAD-it për vitin 2024: Rezultatet nga Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD), do të publikohen në tetor të vitit 2025.
Përditësimi i fundit: 20 maj 2025

Përmbledhje e rezultateve
Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat të Tjera (ESPAD) për vitin 2024 shënon 30-vjetorin e monitorimit të sjelljeve të rrezikshme të adoleshentëve në Evropë, me pjesëmarrjen e 37 shteteve. Ndërsa fokusi mbetet te sjelljet dhe tendencat e përdorimit të substancave, ky publikim paraqet një fokus të ri në mirëqenien mendore dhe aktivitetet parandaluese, duke vënë në pah rëndësinë gjithnjë e në rritje të këtyre aspekteve në formësimin e rezultateve të lidhura me shëndetin e adoleshentëve. Teksa sjelljet e adoleshentëve evoluojnë, monitorimi afatgjatë i ESPAD-it vazhdon të ofrojë informacione thelbësore për të orientuar përpjekjet parandaluese dhe të politikave, duke u siguruar që përgjigjet të mbeten të efektshme dhe të rëndësishme.
Pavarësisht rënies afatgjatë në përdorimin e substancave, tendencat në zhvillim e sipër ngrenë shqetësime të reja. Duhanpirja ka rënë në mënyrë të konsiderueshme gjatë dekadave të fundit, me përgjysmimin e prevalencës gjatë gjithë jetës për periudhën 1995-2024. Megjithatë, nisja e duhanpirjes në moshë të hershme mbetet problematikë e vazhdueshme, veçanërisht te vajzat, për të cilat normat e duhanpirjes së përditshme në moshën 13-vjeçare ose më të re janë rritur vitet e fundit. Ndërkohë, përdorimi i cigareve elektronike është rritur ndjeshëm midis adoleshentëve, me norma në rritje të nisjes në moshë të hershme dhe të konsumit të përditshëm, duke nxitur shqetësime mbi përdorimin e dyfishtë të cigareve tradicionale dhe elektronike, si dhe duke pasqyruar një zhvendosje më të gjerë drejt produkteve alternative të nikotinës.
Gjithashtu, konsumi i alkoolit ka pësuar rënie me kalimin e kohës, me reduktimin e përdorimit të përgjithshëm dhe konsumit të tepruar. Megjithatë, ky reduktim është më i theksuar te djemtë, ndërsa për vajzat paraqitet një tendencë më e qëndrueshme. Pavarësisht këtij progresi, alkooli mbetet gjerësisht i aksesueshëm, ndërsa nisja në moshë të hershme dhe konsumi i tepruar episodik mbeten shqetësime të konsiderueshme në disa rajone.
Kanabisi vijon të mbetet droga e paligjshme më e përdorur, megjithëse prevalenca gjatë gjithë jetës ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1995. Ndërsa djemtë përgjithësisht raportojnë përdorim më të lartë, hendeqet gjinore po ngushtohen, me disa përjashtime ku vajzat tejkalojnë djemtë. Nisja në moshë të hershme dhe përdorimi me rrezikshmëri të lartë mbeten faktorë shqetësues, megjithëse përdorimi aktual i përgjithshëm (i përkufizuar si përdorimi brenda 30 ditëve të fundit) ka rënë në 5%, duke pasqyruar një tendencë rënëse afatgjatë. Disponueshmëria e perceptuar ndryshon gjerësisht, por kanabisi mbetet substanca e paligjshme që mund të gjendet më lehtësisht nga nxënësit.
Përdorimi i drogave të tjera të paligjshme ka rënë midis nxënësve të anketuar nga ESPAD, me ngushtimin e hendeqeve gjinore, megjithëse djemtë përgjithësisht vijojnë të raportojnë përdorim dhe disponueshmëri të perceptuar më të lartë. Ndërkohë, përdorimi i inhalantëve po rritet në mesin e vajzave, ndërsa përdorimi i produkteve farmaceutike për qëllime jomjekësore është gjithashtu në rritje.
Përtej substancave, rreziqet e lidhura me sjelljen po marrin një drejtim tjetër. Përdorimi i videolojërave është rritur midis nxënësve të anketuar nga ESPAD, veçanërisht midis vajzave. Videolojërat nuk janë më një aktivitet kryesisht mashkullor, duke pasqyruar zhvendosje të gjera në sjelljet e lidhura me botën dixhitale. Pavarësisht pjesëmarrjes së shtuar, perceptimi i videolojërave si problematike mbetet i qëndrueshëm. Nga ana tjetër, shqetësimet në lidhje me përdorimin problematik të mediave sociale janë rritur, veçanërisht midis djemve, ndërsa normat midis vajzave mbeten të larta.
Pjesëmarrja në lojërat e fatit mbetet e qëndrueshme, ndërsa pjesëmarrja në internet është rritur ndjeshëm dhe sjellja e dëmshme në lidhje me lojërat e fatit është thuajse dyfishuar, me një rritje më të theksuar midis vajzave.
Mesatarisht, 59% e nxënësve raportojnë gjendje të mirë të mirëqenies mendore. Gjetjet vënë në pah dallimet e dukshme rajonale, si dhe pabarazitë gjinore, ku vajzat vazhdimisht raportojnë mirëqenie më të ulët sesa djemtë. Rezultatet më të ulëta të mirëqenies janë regjistruar në shtetet që përjetojnë konflikt dhe paqëndrueshmëri.
Përpjekjet parandaluese janë të përhapura, ku shumica e nxënësve kanë marrë pjesë në të paktën një ndërhyrje. Alkooli është tema më e trajtuar, ndërsa substancat e paligjshme dhe rreziqet e lidhura me sjelljen marrin më pak vëmendje. Programet e parandalimit të bazuara në aftësi, të cilat theksojnë qasjet ndërvepruese, janë më të zakonshme në Evropën Perëndimore dhe Jugore. Një nga fokuset për fazat e ardhshme të anketës mund të përfshijë shkallën në të cilën ndërhyrjet parandaluese që ofrohen mund të konsiderohen të bazuara në prova ose jo.
Eksploruesi i të dhënave
Pikat kyç
Përdorimi i cigareve

Përdorimi i cigareve vazhdon të jetë i përhapur midis adoleshentëve në shtetet pjesëmarrëse në ESPAD, ku thuajse një në tre nxënës kanë pirë cigare të paktën një herë në jetën e tyre (mesatarisht 32%). Normat më të larta të prevalencës vërehen në Hungari (51%) dhe Sllovaki (46%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Islandë (13%) dhe Maltë (16%). Dallimet gjinore tregojnë një prevalencë pak më të lartë midis vajzave (32% kundrejt 31% midis djemve). Kjo tendencë është e dukshme në më shumë se dy të tretat e shteteve, me dallimet më të mëdha në Rumani (47% kundrejt 36%) dhe Bullgari (46% kundrejt 36%). Megjithatë, në disa shtete, kjo tendencë është e kundërt, veçanërisht në Kosovë (1) (47% midis djemve kundrejt 36% midis vajzave) dhe Gjeorgji (35% kundrejt 24%).
Mesatarisht, 15% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë pirë cigare për herë të parë në moshën 13-vjeçare ose më të re. Përqindjet më të larta regjistrohen në Sllovaki (24%) dhe Kosovë (23%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Islandë (6,4%) dhe Maltë (7,1%). Në pak më shumë se gjysmën e shteteve, nisja e duhanpirjes në moshë të hershme është më e zakonshme midis vajzave, veçanërisht në Bullgari (23% kundrejt 17%). Ndër shtetet ku djemtë kanë më shumë gjasa ta fillojnë duhanpirjen në moshë të re, hendeku më i gjerë paraqitet në Kosovë (31% kundrejt 16%).
Më shumë se gjysma e nxënësve të anketuar nga ESPAD (55%) i konsiderojnë cigaret si diçka "relativisht e lehtë" ose "shumë e lehtë" për t'u gjetur. Ky perceptim është më i larti në Danimarkë (76%), pasuar nga Gjermania dhe Norvegjia (70%). Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta raportohen në Kosovë (32%) dhe Moldavi (23%). Në përgjithësi, djemtë kanë më shumë gjasa sesa vajzat që t'i perceptojnë cigaret si diçka që gjendet lehtësisht (61% kundrejt 50%).
Përdorimi aktual i cigareve, i përkufizuar si duhanpirja në 30 ditët e fundit, raportohet nga 18% e nxënësve. Prevalenca më e lartë vërehet në Kroaci dhe Hungari (32%), ndërsa më e ulëta regjistrohet në Islandë (4,2%) dhe Suedi (8,2%). Duhanpirja aktuale është më e përhapur midis vajzave në më shumë se gjysmën e shteteve pjesëmarrëse në ESPAD, ku hendeku gjinor më i gjerë raportohet në Bullgari (34% kundrejt 25%) dhe Rumani (30% kundrejt 22%). Megjithatë, modeli është i kundërt në Kosovë (33% kundrejt 23%) dhe Gjeorgji (18% kundrejt 9,5%), ku djemtë kanë norma aktuale më të larta të duhanpirjes.
Konsumi i përditshëm i cigareve raportohet nga 7,9% e nxënësve të anketuar nga ESPAD, me përqindje të ngjashme midis gjinive. Normat më të larta vërehen në Bullgari dhe Kroaci (20%), ndërsa norma më e ulët regjistrohet në Islandë (0,8%).
Një shifër tjetër kryesore është përdorimi i përditshëm i raportuar nga nxënësit që kanë nisur duhanprjen në moshë të re (13 vjeç ose më të re). Mesatarisht, 3,6% e nxënësve bëjnë pjesë në këtë kategori, me përqindjen më të lartë të vërejtur në Bullgari (8,7%).
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 1995 deri në vitin 2024
Midis anketave të para dhe të fundit të ESPAD-it, prevalenca gjatë gjithë jetës lidhur me përdorimin e cigareve ka rënë në mënyrë të qëndrueshme, duke u përgjysmuar nga 68% në 32%, me rënien më të dukshme midis viteve 2019 dhe 2024 (një rënie prej 10 pikë përqindjeje). Gjatë periudhës 30-vjeçare, rënia e prevalencës ka qenë më e madhe midis djemve, nga 70% në 30%. Shtetet me reduktimet më të mëdha janë Ishujt Faroe, Irlanda, Islanda dhe Suedia.
Tendenca në përdorimin e 30 ditëve të fundit tregon gjithashtu një rënie të vazhdueshme, nga 33% në 18%, me tendenca thuajse të mbivendosura midis djemve dhe vajzave. Një model i ngjashëm vërehet në duhanpirjen e përditshme, e cila u reduktua nga 20% në 8%.
Për ta përmbledhur, ndërsa përqindja e duhanpirësve të përditshëm të moshës 13 vjeç ose më të rinj ka rënë gjatë tre dekadave (nga 10% në vitin 1995 në 3,6% në vitin 2024), një krahasim midis të dhënave të viteve 2019 dhe 2024 zbulon një rritje të lehtë (plus 0,6%). Meqenëse prevalenca midis djemve mbetet e pandryshuar në dy anketat e fundit, kjo rritje është nxitur nga vajzat, për të cilat norma është rritur nga 2,5% në 3,6%, duke konfirmuar përfshirjen e shtuar të tyre në pothuajse të gjitha modelet e vëzhguara të duhanpirjes.
Përdorimi i dyfishtë
Megjithëse pirja e cigareve është forma më e zakonshme e përdorimit të duhanit, përqendrimi vetëm te cigaret nuk thekson mjaftueshëm konsumin e nikotinës për shkak të përhapjes së produkteve alternative. Duke marrë në konsideratë cigaret tradicionale dhe cigaret elektronike, përdorimi gjatë gjithë jetës është rritur nga 32% në 47%, me rritje të konsiderueshme të regjistruara në Çeki dhe Estoni, ndërsa përdorimi aktual është rritur nga 18% në 28%, me një rritje të dukshme midis vajzave si në përdorimin gjatë gjithë jetës, ashtu edhe në përdorimin aktual.
Kur merret parasysh konsumi i dyfishtë ditor, prevalenca rritet nga 7,9% në 14% (15% midis vajzave kundrejt 12% midis djemve), me përdorime më të larta në Bullgari dhe Hungari (25%).
Përdorimi i përditshëm që në moshë të hershme tregon gjithashtu një rritje të dukshme kur merret parasysh përdorimi i dyfishtë, me një rritje nga 3,9% në 6%. Në këtë rast, rritjet më të mëdha vërehen në Lituani dhe Estoni, ku rritja sërish është më e dukshme midis vajzave.
Përdorimi i cigareve elektronike
Mesatarisht, 44% e nxënësve nga shtetet pjesëmarrëse në ESPAD raportojnë se kanë përdorur cigare elektronike të paktën një herë në jetën e tyre, ku prevalenca kombëtare varion nga 22% në Portugali në 57% në Hungari.
Në 13 nga 37 shtete pjesëmarrëse në ESPAD, të paktën gjysma e nxënësve kanë provuar cigare elektronike, ndërsa në vetëm gjashtë shtete (Portugali, Maltë, Islandë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Irlandë), më pak se një e treta e nxënësve kanë raportuar përdorim gjatë gjithë jetës.

Në përgjithësi, vajzat (46%) raportojnë një prevalencë më të lartë të përdorimit të cigareve elektronike gjatë gjithë jetës krahasuar me djemtë (41%), me përjashtime në Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Ishujt Faroe, Maqedoni e Veriut, Ukrainë dhe Portugali. Dallimet më të mëdha gjinore gjenden në Lihtenshtajn dhe Maltë, ku prevalenca midis vajzave e tejkalon atë të djemve me 13 pikë përqindjeje. Ndërsa, në Kosovë, përkundrazi, djemtë raportojnë një prevalencë më të lartë prej 12 pikë përqindjeje krahasuar me vajzat (51% kundrejt 39%).
Mesatarisht, 16% e nxënësve kanë provuar cigare elektronike në moshën 13-vjeçare ose më të re, me përqindjet më të larta të regjistruara në Estoni (33%) dhe Lituani (31%), dhe më të ulëtat në Portugali (5,4%) dhe Mal të Zi (7,4%). Përdorimi i cigareve elektronike në moshë të hershme është më i zakonshëm midis vajzave sesa midis djemve në shumicën e shteteve, ku dallimet më të mëdha janë vërejtur në Estoni (37% për vajzat kundrejt 29% për djemtë), Letoni (34% kundrejt 27%) dhe Irlandë (18% kundrejt 12%). Nga ana tjetër, në Kosovë raportohet një prevalencë më e lartë prej 12 pikë përqindjeje për djemtë krahasuar me vajzat (25% kundrejt 13%).
Një përqindje e lartë e nxënësve (60%) mendojnë se cigaret elektronike janë "relativisht të lehta" ose "shumë të lehta" për t'u gjetur nëse dëshirojnë, me dallime të mëdha midis shteteve, duke variuar nga 33% në Kosovë në 82% në Danimarkë. Në 20 shtete, ky perceptim është mbi mesataren, ku të paktën 60% e nxënësve mendojnë se cigaret elektronike gjenden lehtësisht. Mesatarisht, djemtë dhe vajzat raportojnë nivele të ngjashme të disponueshmërisë së perceptuar.
Përdorimi aktual i cigareve elektronike, i përkufizuar si përdorimi në 30 ditët e fundit, raportohet nga 22% e nxënësve (19% për djemtë dhe 25% për vajzat). Normat më të ulëta vërehen në Portugali dhe Ishujt Faroe (6,4% në të dyja) dhe Maltë (10%), ndërsa normat më të larta të përdorimit aktual të cigareve elektronike raportohen në Poloni (36%) dhe Serbi (34%).
Përdorimi i përditshëm i cigareve elektronike ndryshon midis shteteve, duke variuar nga 1,5% në Ishujt Faroe deri në 20% në Poloni. Në 22 shtete, përdorimi i përditshëm i cigareve elektronike është dukshëm më i lartë midis vajzave, ndërsa në vetëm dy shtete, përkatësisht Kosovë (7,7% kundrejt 5,8%) dhe Gjeorgji (4,2% kundrejt 1,2%), është më i lartë midis djemve.
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 2019 deri në vitin 2024
Popullariteti dhe prevalenca e përdorimit të cigareve elektronike është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, ku shumica e shteteve pjesëmarrëse në ESPAD raportojnë një rritje duke filluar nga viti 2019.
Të dhënat nga 32 shtete që kanë mbledhur informacion mbi përdorimin e cigareve elektronike si për vitin 2019, ashtu edhe për vitin 2024, tregojnë se përdorimi gjatë gjithë jetës është rritur nga 41% në 43%, ndërsa përdorimi aktual është rritur nga 14% në 22% gjatë kësaj periudhe. Nga këto 32 shtete, 11 prej tyre kanë raportuar një përqindje më të ulët të përdorimit gjatë gjithë jetës, ku rëniet më të mëdha janë vërejtur në Monako (nga 63% në 44%), Ukrainë (nga 51% në 37%) dhe Lituani (nga 65% në 51%). Rritjet më të larta në përdorimin e cigareve elektronike u konstatuan në Serbi (nga 18% në 51%) dhe Greqi (nga 35% në 52%).
Tendenca të ngjashme janë vërejtur në lidhje me përdorimin aktual të cigareve elektronike, të cilat kanë rënë veçanërisht në Monako dhe Lituani, ndërsa rritje të konsiderueshme u regjistruan në Serbi (29 pikë përqindjeje) dhe në Kroaci (20 pikë përqindjeje).
Përdorimi i alkoolit

Konsumi i alkoolit gjatë gjithë jetës raportohet nga 73% e adoleshentëve në shtetet pjesëmarrëse në ESPAD. Normat më të larta të prevalencës vërehen në Hungari (91%) dhe Danimarkë (90%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Kosovë (29%) dhe Islandë (41%). Dallimet gjinore tregojnë një prevalencë pak më të lartë midis vajzave (74%) sesa midis djemve (72%), një tendencë që është vërejtur në më shumë se gjysmën e shteteve. Dallimet më të theksuara gjinore konstatohen në Islandë (48% kundrejt 34%), Letoni (84% kundrejt 73%) dhe Lituani, Maltë dhe Monako, ku secili prej këtyre shteteve tregon një hendek prej 10 pikë përqindjeje. Megjithatë, në disa shtete, tendenca është e kundërt, veçanërisht në Kosovë (37% midis djemve kundrejt 23% midis vajzave).
Mesatarisht, 33% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë konsumuar pijen e tyre alkoolike të parë në moshën 13-vjeçare ose më të re (një matës i pirjes së alkoolit në moshë të hershme) ndërsa 8% deklarojnë se kanë konsumuar alkool në sasi të tepërt në të njëjtën moshë. Normat më të larta të pirjes së alkoolit në moshë të hershme vërehen në Gjeorgji (64%) dhe Moldavi (49%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Islandë (12%), Kosovë dhe Norvegji (14%). Kësisoj, konsumi i tepërt i alkoolit në moshë të hershme është më i përhapur në Gjeorgji (25%) dhe Bullgari (14%), dhe më pak i zakonshëm në Kosovë (3%), Francë dhe Portugali (3,6%) dhe Ishujt Faroe (3,9%).
Djemtë raportojnë norma pak më të larta sesa vajzat, si për pirjen e alkoolit (34% kundrejt 33%) ashtu edhe për konsumin e tepërt të alkoolit (8,2% kundrejt 7,8%). Megjithatë, në lidhje me konsumin e alkoolit në moshën 13-vjeçare ose më të re, në disa shtete hendeku zgjerohet, duke treguar norma më të larta për djemtë, si për shembull në Maqedoninë e Veriut (35% kundrejt 22%), Malin e Zi (47% kundrejt 36%) dhe Serbi (49% kundrejt 37%). Nga ana tjetër, në Letoni dhe Lituani, për vajzat raportohen përqindjet më të larta (46% kundrejt 35% dhe 35% kundrejt 26%, përkatësisht). Sa i takon konsumit të tepërt të alkoolit në moshë të hershme, dallimet gjinore shfaqen edhe në nivel kombëtar. Në mënyrë të spikatur, në Gjeorgji për djemtë tregohet një prevalencë më e lartë krahasuar me vajzat (30% kundrejt 20%). Ndërkohë, modeli është i kundërt në Çeki (14% midis vajzave kundrejt 7,6% midis djemve) dhe Estoni (14% kundrejt 9,3%).
Tre nga katër nxënës të anketuar nga ESPAD (75%) i konsiderojnë pijet alkoolike "relativisht të lehta" ose "shumë të lehta" për t'u gjetur. Ky perceptim është më i larti në Danimarkë dhe Gjermani (94%), pasuar nga Greqia (92%), ndërsa përqindjet më të ulëta raportohen në Kosovë (42%) dhe Islandë (54%). Në përgjithësi, vajzat kanë tendencën ta perceptojnë alkoolin si më të lehtë për t'u gjetur krahasuar me djemtë (77% kundrejt 73%), veçanërisht në Lituani (64% kundrejt 51%), Qipro (78% kundrejt 66%) dhe Letoni (74% kundrejt 62%).
Përdorimi aktual i alkoolit, i përkufizuar si konsumi brenda 30 ditëve të fundit, raportohet nga 42% e nxënësve. Normat më të larta të prevalencës vërehen në Danimarkë (68%) dhe Gjermani (62%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Islandë (12%) dhe Kosovë (14%). Konsumi aktual i alkoolit është disi më i lartë midis vajzave (43% kundrejt 41%), me hendekun më të gjerë gjinor të konstatuar në Letoni (35% kundrejt 25%), Maltë (42% kundrejt 33%) dhe Ukrainë (45% kundrejt 36%). Megjithatë, modeli ndryshon në Qipro, ku djemtë raportojnë norma më të larta sesa vajzat (49% kundrejt 35%).
Intoksikimi nga alkooli në të paktën një rast në 30 ditët e fundit raportohet nga 13% e të gjithë nxënësve të anketuar nga ESPAD. Normat më të larta vërehen në Danimarkë (36%), Austri (24%) dhe Hungari (22%), ndërsa më e ulëta regjistrohet në Kosovë (4,9%). Në përgjithësi, përqindjet janë të barabarta midis gjinive. Megjithatë, në nivel kombëtar, shpeshherë vajzat raportojnë norma më të larta të konsumit të tepërt të alkoolit krahasuar me djemtë, me hendekun më të gjerë të vërejtur në Qipro (12% për vajzat kundrejt 4,4% për djemtë).
Një matës kyç i konsumit të tepruar është konsumi i tepërt i alkoolit brenda një kohe të shkurtër, i përkufizuar si pirja e pesë ose më shumë pijeve në një rast të vetëm në 30 ditët e fundit. Mesatarisht, prevalenca në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD është në vlerën 31%, me përqindjet më të larta të raportuara në Danimarkë (55%), Gjermani (49%) dhe Austri (48%), ndërsa më e ulëta raportohet në Islandë (8,9%). Mesatarisht, djemtë dhe vajzat shfaqin norma të ngjashme për këtë model. Megjithatë, në nivel kombëtar, shfaqen dallime të dukshme gjinore: djemtë raportojnë prevalencë më të lartë në Mal të Zi (27% kundrejt 18%) dhe Lihtenshtajn (41% kundrejt 35%), ndërsa vajzat kanë norma më të larta në Maltë (34% kundrejt 25%).
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 1995 deri në vitin 2024
Nga viti 1995 deri në vitin 2024, konsumi i alkoolit gjatë gjithë jetës në shtetet pjesëmarrëse në ESPAD ka shfaqur një tendencë rënëse, duke u reduktuar nga 88% në 74%, megjithëse me disa luhatje. Prevalenca ka arritur kulmin në 91% në anketën e vitit 2003, përpara se të reduktohej në vitet në vijim. Megjithëse këto të dhëna nuk janë të disponueshme vazhdimisht për të gjitha shtetet që nga viti 1995, rëniet më të mëdha janë vërejtur në Islandë (nga 79% në 41%) dhe Suedi (nga 89% në 56%). Tendencat për djemtë dhe vajzat kanë një model të ngjashëm.
Konsumi i alkoolit në 30 ditët e fundit ka qenë gjithashtu në rënie, duke krahasuar anketën e parë dhe më të fundit të ESPAD, me një reduktim nga 55% në 43%. Kjo tendencë pasqyron rënien e vërejtur në konsumin gjatë gjithë jetës, me një prevalencë rekord prej 63% në vitin 2003. Reduktimet më të mëdha vërehen në Islandë (nga 56% në 12%), Irlandë (nga 66% në 35%) dhe Finlandë (nga 57% në 27%).
Sa i takon konsumit të tepruar episodik, megjithëse prevalenca e tij ka rënë nga 36% në 30% gjatë periudhës 30-vjeçare të monitorimit, ai ka arritur kulmin në vlerën 42% në vitin 2007, pasi rritjes që nga viti 1995. Kjo tendencë është e dukshme si te djemtë ashtu edhe te vajzat. Për sa i përket djemve, vlera maksimale është regjistruar më herët (47% në vitin 2003) dhe vazhdoi në vitin 2007, ndërsa te vajzat, vlera maksimale prej 38% u regjistrua në vitin 2007. Sidoqoftë, rënia e përgjithshme midis vajzave nga viti 1995 në vitin 2024 është vetëm një pikë përqindjeje.
Përdorimi i drogave të paligjshme

Mesatarisht, 13% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë përdorur një drogë të paligjshme të paktën një herë në jetë. Prevalenca gjatë gjithë jetës lidhur me përdorimin e drogave të paligjshme ndryshon shumë midis shteteve pjesëmarrëse në ESPAD, me normat më të larta të vërejtura në Lihtenshtajn (25%) dhe Çeki (24%), dhe më të ulëtat në Gjeorgji dhe Moldavi (3,9% të dyja).
Në përgjithësi, vërehet vetëm një pabarazi gjinore e vogël, ku 14% e djemve dhe 12% e vajzave raportojnë përdorim gjatë gjithë jetës të drogave të paligjshme. Një dallim relativisht i madh prej 8 pikë përqindjeje vërehet midis djemve dhe vajzave në Ukrainë. Malta përbën një rast të veçantë, ku prevalenca gjatë gjithë jetës midis vajzave e tejkalon atë të djemve me 6 pikë përqindjeje (15% kundrejt 9,3%).
Duke marrë në konsideratë substancat individuale, kanabisi është droga më e përdorur (12% përdorim gjatë gjithë jetës), pasuar nga kokaina (2,3%), ekstazia/MDMA-ja (2,1%), LSD-ja ose halucinogjenët e tjerë (1,8%) dhe amfetamina (1,8%). Prevalenca mesatare e përdorimit gjatë gjithë të metamfetaminës, kokainës së tymosshme (crack), heroinës dhe GHB-së mbetet më e ulët, në vlerën përafërsisht 1% për secilën drogë. Mesatarisht, për djemtë shfaqen norma më të larta të prevalencës gjatë gjithë jetës për secilën substancë krahasuar me vajzat.
Në nivel kombëtar, përdorimi i amfetaminës varion nga 0,7% në Gjeorgji dhe Monako, në 4,3% në Hungari, ndërsa përdorimi i metamfetaminës varion nga 0,5% në Monako dhe Maqedoninë e Veriut, në 3,1% në Poloni. Qiproja shënon prevalencën më të lartë gjatë gjithë jetës midis shteteve pjesëmarrëse më ESPAD për përdorimin e LSD-së dhe halucinogjenëve të tjerë (6,8%) dhe kokainës (6,2%). Për të gjithashtu raportohet prevalenca më e lartë për ekstazinë/MDMA-në (4,7%), kokainën e tymosshme dhe heroinën (4,1% të dyja) dhe GHB-në (3,4%).
Përdorimi drogave të paligjshme, të ndryshme nga kanabisi
Ndërsa kanabisi përbën përqindjen më të madhe të përdorimit të raportuar të drogave të paligjshme, prevalenca mesatare gjatë gjithë jetës për përdorimin e drogave të paligjshme, të ndryshme nga kanabisi, është dukshëm më e ulët, duke qëndruar në vlerën 5%. Në nivel kombëtar, normat ndryshojnë nga 1,7% në Gjeorgji në 9,9% në Qipro, me prevalencë relativisht të lartë të raportuar gjithashtu në Islandë (7,9%) dhe Mal të Zi (7,6%). Mesatarisht, prevalenca është më e lartë midis djemve krahasuar me vajzat (5,4% kundrejt 4,5%).
Norma e përdorimit të kokainës/kokainës së tymosshme në moshën 13-vjeçare ose më të re qëndron në vlerën 0,9% mesatarisht midis 17 shteteve që e kanë mbledhur këtë informacion në vitin 2024, me prevalencën më të lartë të regjistruar në Ukrainë (4%). Në përgjithësi, djemtë (1,2%) kanë më shumë gjasa ta fillojnë përdorimin në moshë të hershme krahasuar me vajzat (0,5%), megjithëse ndryshimi mesatar mbetet nën një pikë përqindjeje. Modele të ngjashme vihen në pah për amfetaminën/metamfetaminën dhe ekstazinë/MDMA-në, për të cilat Ukraina raporton normat më të larta (përkatësisht 3,3% dhe 3,7%), ndërsa Kosova tregon prevalencën pasuese më të lartë (1,4% për të dyja).
Disponueshmëria e perceptuar e drogave të paligjshme, të ndryshme nga kanabisi, është relativisht e ulët. Mesatarisht, 13% e nxënësve kanë raportuar se mund ta gjejnë lehtë kokainën, 11% kanë raportuar se mund ta gjejnë lehtë ekstazinë/MDMA-në, 9% kanë raportuar se mund ta gjejnë lehtë amfetaminën dhe pothuajse 8% kanë raportuar se mund të gjejnë lehtë si kokainën e tymosshme ashtu edhe metamfetaminën.
Ekzistojnë ndryshime të gjera midis shteteve lidhur me disponueshmërinë e perceptuar të substancave. Norvegjia raporton një përqindje më të lartë të nxënësve që i perceptojnë substancat si lehtësisht të disponueshme, me normat më të larta të regjistruara për kokainën (28%), ekstazinë/MDMA-në (25%) dhe amfetaminën (19%). Sllovenia raporton disponueshmërinë më të lartë të perceptuar të kokainës së tymosshme (13%) midis 16 shteteve që e kanë mbledhur këtë informacion. Norma të larta të disponueshmërisë së perceptuar konstatohen gjithashtu në Malin e Zi si për amfetaminën (18%) ashtu edhe për metamfetaminën (15%). Nga ana tjetër, disponueshmëria e perceptuar e drogave të tjera të paligjshme mbetet e ulët në Gjeorgji, Moldavi dhe Ishujt Faroe, duke variuar përgjithësisht midis 1,8% dhe 3,6%.
Disponueshmëria e perceptuar e substancave është përgjithësisht më e lartë midis djemve sesa midis vajzave, me përjashtim të kokainës, për të cilën vajzat (13%) raportojnë se mund ta gjejnë më lehtësisht krahasuar me djemtë (12%) mesatarisht. Për secilën substancë, dallimi gjinor mesatar mbetet nën 1,5 pikë përqindjeje. Megjithatë, modelet e pabarazisë gjinore ndryshojnë sipas shteteve dhe substancave. Në disa shtete, të tilla si Lihtenshtajni dhe Monakoja, djemtë raportojnë disponueshmëri më të lartë të perceptuar të substancave të paligjshme, ndërsa në vende të tjera, duke përfshirë Qipron, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Maltën, vajzat raportojnë një disponueshmëri më të lartë të perceptuar në krahasim me djemtë.
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 1995 deri në vitin 2024
Në përgjithësi, midis viteve 1995 dhe 2003, është rritur prevalenca gjatë gjithë jetës në lidhje me përdorimin e drogave të jashtëligjshme. Që nga viti 2003, prevalenca mesatare mbeti e qëndrueshme në vlerën 19% deri në vitin 2015, pastaj u reduktua në 17% në vitin 2019 dhe më tej në 14% në vitin 2024.
Shtetet që tregojnë një rritje të qëndrueshme në morinë e anketimeve të mbledhjes së të dhënave nga ESPAD përfshijnë Norvegjinë, ku normat janë rritur që nga viti 2011, dhe Malin e Zi, ku normat janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2007, kur ka filluar mbledhja e të dhënave ESPAD në ato vende.
Midis viteve 1995 dhe 2019, për vajzat dhe djemtë u vërejtën tendenca të ngjashme, me normën mesatare midis vajzave vazhdimisht 5 deri në 6 pikë përqindjeje më të ulët sesa ajo e djemve. Megjithatë, midis viteve 2019 dhe 2024, hendeku u ngushtua në një rekord historik me diferencë prej 2 pikë përqindjeje. Duke marrë në konsideratë shtetet individuale, shumica e shteteve pjesëmarrëse në ESPAD shfaqin tendenca paralele ose konvergjente midis djemve dhe vajzave.
Përdorimi i drogave të paligjshme, duke përjashtuar kanabisin, shënoi prevalencën më të lartë gjatë gjithë jetës në vitin 2007, pasuar nga një rënie e lehtë deri në vitin 2019. Më pas, prevalenca ka mbetur e qëndrueshme. Megjithatë, kjo tendencë e përgjithshme kamuflon ndryshimet specifike për shtetet. Dukshëm, mund të veçojmë Qipron pasi ka pasur një rritje të konsiderueshme që nga viti 2003, kur atje filloi mbledhja e të dhënave nga ESPAD.
Tendenca në përqindjen e nxënësve që përdorin droga të paligjshme, të ndryshme nga kanabisi, është e ngjashme për djemtë dhe vajzat, ku vajzat vazhdimisht raportojnë norma 1 deri në 2 pikë përqindjeje më të ulëta në të gjitha vitet e anketimit.
Përdorimi i kanabisit

Kanabisi mbetet droga e paligjshme më e përdorur në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD. Mesatarisht, 12% e nxënësve raportojnë se kanë përdorur kanabis të paktën një herë në jetën e tyre. Prevalenca më e lartë vërehet në Çeki (24%) dhe Lihtenshtajni (23%), ndërsa më e ulëta regjistrohet në Gjeorgji (3,3%) dhe Moldavi (2,5%). Megjithëse hendeku gjinor i përgjithshëm është zvogëluar me kalimin e kohës, djemtë vazhdojnë të raportojnë përdorim më të lartë të kanabisit krahasuar me vajzat (13% kundrejt 11%) mesatarisht . Kjo tendencë është e dukshme në shumicën e shteteve, veçanërisht në Ukrainë (15% kundrejt 6,7%) dhe në Malin e Zi (13% kundrejt 6,8%). Megjithatë, Malta përbën përjashtim, ku përdorimi i kanabisit është më i përhapur midis vajzave (14%) sesa midis djemve (8,6%).
Mesatarisht, 2,4% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë përdorur kanabis për herë të parë në moshën 13-vjeçare ose më të re. Përqindjet më të larta janë regjistruar në Ukrainë (4,9%) dhe Çeki (4,1%), ndërsa më të ulëtat në Moldavi (0,7%). Përdorimi i kanabisit në moshë të hershme është përgjithësisht më i zakonshëm midis djemve sesa midis vajzave, përveçse në Qipro, Çeki, Maltë, Slloveni, Austri, Sllovaki, Letoni, Gjermani dhe Lihtenshtajn.
Kanabisi perceptohet si substanca e paligjshme më e arritshme, ku rreth një në katër nxënës të anketuar nga ESPAD (26%) e konsiderojnë atë "relativisht të lehtë" ose "shumë të lehtë" për t'u gjetur. Disponueshmëria e perceptuar është më e lartë në Danimarkë, Gjermani dhe Slloveni (41%) dhe Norvegji (40%). Nga ana tjetër, disponueshmëria e perceptuar më e ulët raportohet në Moldavi (5,3%), Ukrainë (7,1%), Ishujt Faroe (11%), Kosovë dhe Gjeorgji (12%). Ashtu si me modelet e përdorimit, djemtë kanë më shumë gjasa se vajzat që ta perceptojnë kanabisin si diçka që gjendet lehtësisht (28% kundrejt 24%).
Sa i takon përdorimit aktual, të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD raportojnë norma të prevalencës nën 10%, ku shifrat më të ulëta (nën 2%) janë vërejtur në Moldavi, Gjeorgji, Rumani dhe Ishujt Faroe. Ndërkohë, prevalenca është më e lartë në Itali dhe Slloveni (8,6%) dhe Lihtenshtajn (9,6%). Sërish, vlen të përmendet se kur ekziston një hendek gjinor, djemtë kanë tendencë të raportojnë përdorim më të lartë aktual të kanabisit krahasuar me vajzat.
ESPAD-i gjithashtu vlerëson përdorimin me rrezikshmëri të lartë të kanabisit përmes Testit të Kontrollit të Abuzimit me Kanabisin (CAST), që përdoret për nxënësit që kanë raportuar se kanë përdorur kanabis vitin e kaluar. Prevalenca e përdorimit me rrezikshmëri të lartë varion nga nën 1% në Moldavi dhe Gjeorgji, deri në një përqindje maksimale prej 5,9% në Çeki dhe Slloveni. Vetëm disa shtete pjesëmarrëse në ESPAD raportojnë dallime gjinore të konsiderueshme në përdorimin me rrezikshmëri të lartë të kanabisit dhe në të gjitha rastet, për djemtë shfaqen shifra më të larta, përveç Maltës, ku prevalenca është pak më e lartë midis vajzave (4,4% kundrejt 2,6%).
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 1995 deri në vitin 2024
Gjatë tre dekadave të fundit, përdorimi i kanabisit midis adoleshentëve evropianë ka pasur luhatje të dukshme. Prevalenca gjatë gjithë jetës lidhur me përdorimin e kanabisit ka arritur kulmin në vlerën 18% në vitet 2003 dhe 2011. Por, që asokohe ka shënuar një tendencë rënëse, duke arritur vlerën 12% në vitin 2024, që ka qenë niveli më i ulët i regjistruar që nga fillimi i projektit ESPAD në vitin 1995.
Përdorimi aktual i kanabisit ka mbetur relativisht i qëndrueshëm me kalimin e kohës, duke variuar nga 6,7% dhe 7,4% nga viti 1999 deri në vitin 2019. Megjithatë, të dhënat e vitit 2024 tregojnë një rënie në 5%, duke u kthyer në nivele të ngjashme me ato të vërejtura në vitin 1995 (4,1%).
Pavarësisht rritjes së qëndrueshme të disponueshmërisë së perceptuar të kanabisit deri në vitin 2019, kur 33% e nxënësve e raportuan atë si "relativisht të lehtë" ose "shumë të lehtë" për t'u gjetur, kjo shifër ra papritmazi në 27% në vitin 2024, duke iu afruar nivelit të regjistruar në vitin 1995 (26%).
Përdorimi i substancave të tjera
Anketa gjithashtu ka mbledhur të dhëna për substanca të tjera, duke përfshirë substancat e reja psikoaktive (NPS), drogat sintetike të projektuara për të imituar efektet e substancave tradicionale të kontrolluara duke shmangur kufizimet ligjore; produktet farmaceutike, duke përfshirë qetësuesit ose sedativët, të përdorur pa recetë mjeku; barnat kundër dhimbjeve, të përdorura për t'u droguar; barna për çrregullimin e pamjaftueshmërisë së vëmendjes/hiperaktivitetin, të përdorura pa recetë mjeku, si dhe steroidet anabolike; inhalantët; dhe, për herë të parë, oksidin e azotit.
Midis nxënësve të anketuar nga ESPAD, prevalenca mesatare gjatë gjithë jetës lidhur me përdorimin e substancave të reja psikoaktive është rreth 3%, me normat më të larta të regjistruara në Poloni (6,4%) dhe Slloveni (6%), dhe më të ulëtat në Holandë, Lihtenshtajn, Ishujt Faroe dhe Moldavi (nën 1%).
Prevalenca mesatare e përdorimit gjatë gjithë jetës për substancat e reja psikoaktive është pak më e lartë midis djemve sesa midis vajzave (2,8% kundrejt 2,6%), megjithëse dallimet gjinore ndryshojnë midis shteteve. Në 13 shtete, për vitin 2024 vajzat raportojnë një prevalencë më të lartë të përdorimit gjatë gjithë jetës të substancave të reja psikoaktive. Hendeqet më të mëdha ku për vajzat tregohet përdorim më i lartë vërehen në Qipro (6,6% për vajzat kundrejt 2,9% për djemtë) dhe Sllovaki (6,4% kundrejt 4,3%), ndërsa në Ukrainë, djemtë raportojnë përdorim më të lartë gjatë gjithë jetës krahasuar me vajzat (3,6% kundrejt 2%).
Në lidhje me substancat specifike, 3,5% e nxënësve të anketuar nga ESPAD (mesatare e bazuar në të dhëna nga 23 nga 37 shtete) raportojnë se kanë përdorur kanabinoide sintetike të paktën një herë në jetën e tyre, duke variuar nga 0,7% në Gjeorgji në 16% në Sllovaki. Kësisoj, 1,1% e nxënësve kanë raportuar përdorim gjatë gjithë jetës të katinoneve sintetike (mesatare e llogaritur nga 14 nga 37 shtete), me shifrat më të larta të regjistruara në Hungari (3,7%). Përdorimi gjatë gjithë jetës i opioideve sintetike varion midis 0,6% në Gjeorgji, Irlandë dhe Portugali, në 2,2% në Estoni, me një prevalencë mesatare prej 1,1% (bazuar në të dhëna nga 15 nga 37 shtete).
Mesatarisht, për djemtë shfaqet një prevalencë përdorimi pak më e lartë sesa për vajzat për të tria kategoritë e substancave të reja sintetike të përfshira në anketë. Përjashtimet e vetme gjenden në Qipro, ku vajzat (9,1%) raportojnë një prevalencë më të lartë të përdorimit të kanabinoidëve sintetikë krahasuar me djemtë (4,3%), Maltë (4,7% midis vajzave kundrejt 2,4% midis djemve), Letoni (2,9% kundrejt 2,6%) dhe Portugali (2,1% kundrejt 1,7%). Për më tepër, në Hungari, vajzat raportojnë përdorim më të lartë gjatë gjithë jetës si të kanabinoidëve sintetikë (7,9% kundrejt 5,6% midis djemve) ashtu edhe të katinoneve sintetike (4,3% kundrejt 2,9%).

Prevalenca gjatë gjithë jetës lidhur me përdorimin e inhalantëve është mesatarisht 6,4%, me dallime të mëdha midis shteteve. Normat më të larta vërehen në Suedi (17%) dhe Lihtenshtajn (16%), ndërsa normat më të ulëta raportohen në Kosovë (1,3%) dhe në Maqedoninë e Veriut (2,1%). Në vitin 2024, përdorimi i inhalantëve është mesatarisht më i lartë midis vajzave (6,7% midis djemve kundrejt 7,9% midis vajzave), dhe e tejkalon atë të djemve në 25 nga 37 shtete pjesëmarrëse në ESPAD. Për herë të parë, përdorimi i oksidit të azotit ka qenë objekt anketimi midis nxënësve të anketuar nga ESPAD në 18 shtete, ku një mesatare prej 3,1% raportojnë përdorim gjatë gjithë jetës. Prevalenca më e lartë regjistrohet në Bullgari (9,4%) dhe Lihtenshtajn (7,2%), ku të dy shtetet tregojnë shifra më të larta për vajzat sesa për djemtë.
Përafërsisht 2,2% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë përdorimin për herë të parë të inhalantëve në moshën 13-vjeçare ose më të re, me dallime të dukshme midis shteteve. Nisja në moshë të hershme e përdorimit të inhalantëve varion nga më pak se 1% e nxënësve në Portugali (0,3%) dhe Itali (0,4%), në 5% ose më shumë në Gjermani (5,9%) dhe Slloveni (5%).
Prevalenca e përdorimit gjatë gjithë jetës të produkteve farmaceutike për qëllime jomjekësore është mesatarisht 14% në shtetet pjesëmarrëse në ESPAD, me norma më të larta midis vajzave (16%) sesa djemve (11%). Prevalenca më e lartë vërehet në Lituani (29% në përgjithësi, 36% midis vajzave).
Ndër kategoritë e ndryshme të produkteve farmaceutike, më të përdorurat janë qetësuesit dhe sedativët që jepen pa recetë (8,5%), pasuar nga barnat kundër dhimbjeve që përdoren për t'u droguar, raportuar mesatarisht nga 6,9% e nxënësve. Në përgjithësi, 3,4% e nxënësve raportojnë përdorimin e barnave për çrregullimin e pamjaftueshmërisë së vëmendjes/hiperaktivitetit, të cilat përfshihen për herë të parë në anketën e ESPAD të vitit 2024, në një nënkampion prej 18 shtetesh. Në të gjitha kategoritë, përdorimi i produkteve farmaceutike është përgjithësisht më i lartë midis vajzave, përveçse në Bullgari, ku djemtë raportojnë përdorim më të lartë në të gjitha llojet e barnave; Ishujt Faroe dhe Irlanda kanë përdorim më të lartë të qetësuesve dhe sedativëve; Qiproja, Bullgaria, Greqia, Italia, Ukraina, Gjeorgjia, Norvegjia dhe Spanja kanë përdorim më të lartë të barnave kundër dhimbjeve; ndërsa Danimarka dhe Kosova kanë përdorim më të lartë të barnave për çrregullimin e pamjaftueshmërisë së vëmendjes/hiperaktivitetit.
Mesatarisht, 19% e nxënësve i perceptojnë qetësuesit dhe sedativët që jepen pa recetë si "relativisht të lehta" ose "shumë të lehta" për t'u gjetur, ku disponueshmëria më e lartë e perceptuar është regjistruar në Poloni (49%), Danimarkë (39%) dhe Çeki (38%). Disponueshmëria më e ulët e perceptuar e produkteve farmaceutike vërehet në Moldavi (3,4%) dhe Ukrainë (5,9%). Vajzat në të gjitha shtetet kanë më shumë gjasa t'i perceptojnë qetësuesit dhe sedativët si lehtësisht të disponueshëm, përveç Monakos, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë dhe Letonisë, ku djemtë raportojnë disponueshmëri më të lartë të perceptuar.
Një numër relativisht i vogël nxënësish në të gjithë shtetet pjesëmarrëse në ESPAD raportojnë përdorim të steroideve anabolike, me një mesatare prej 1,5%. Përqindja më e lartë regjistrohet në Qipro (4,2%), pasuar nga Polonia (3,3%) dhe Ukraina (2,8%). Në përgjithësi, djemtë kanë më shumë gjasa se vajzat që të kenë provuar steroide anabolike.
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 1995 deri në vitin 2024
Përdorimi gjatë gjithë jetës i inhalantëve midis adoleshentëve evropianë ka shënuar një tendencë në rritje deri në vitin 2011, por më pas pësoi rënie. Në ditët e sotme, normat e prevalencës janë të ngjashme me ato të vërejtura në mesin e viteve 90'. Ngushtimi i hendekut gjinor i vërejtur midis viteve 2011 dhe 2019 u zgjerua në vitin 2024, ku shumica e shteteve aktualisht shfaqin prevalencë më të lartë të përdorimit të inhalantëve midis vajzave. Megjithatë, tendencat variojnë në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD. Ndërsa disa shtete, të tilla si Bullgaria, Finlanda, Islanda, Italia dhe Suedia raportojnë një rritje të konsiderueshme të përdorimit të inhalantëve që nga viti 2011, veçanërisht midis viteve 2019 dhe 2024, shtetet e tjera, duke përfshirë Kroacinë, Çekinë, Estoninë, Letoninë dhe Portugalinë, kanë raportuar rënie.
Tendencat në përdorimin e produkteve farmaceutike për qëllime jomjekësore shpeshherë formësohen nga ndryshimet në grupin e ilaçeve të përfshira. Në përgjithësi, përdorimi gjatë gjithë jetës i qetësuesve dhe sedativëve është rritur në të gjithë Evropën si midis djemve ashtu edhe midis vajzave, me rritje të dukshme të raportuara në Austri, Gjermani, Islandë, Lituani, Norvegji, Suedi dhe Ukrainë. Me kalimin e kohës, vajzat kanë raportuar vazhdimisht norma më të larta të përdorimit të produkteve farmaceutike.
Lojërat e fatit për qëllime fitimi

Mesatarisht, 23% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë luajtur lojëra fati për qëllime fitimi në 12 muajt e fundit, personalisht ose në internet, përmes lojërave në makinat "slot", lojërave me letra ose zare, lotarive ose basteve sportive ose basteve për gara me kafshë.
Italia ka prevalencën më të lartë të lojërave të fatit midis nxënësve (45%), pasuar nga Islanda (41%) dhe Greqia (36%), ndërsa norma më e ulët vërehet në Gjeorgji (9,5%).
Djemtë raportojnë pjesëmarrje dukshëm më të lartë në lojëra fati krahasuar me vajzat, si mesatarisht (29% kundrejt 16%) ashtu edhe në shumicën e shteteve. Përjashtimi i vetëm është Islanda, ku prevalenca është pothuajse e barabartë, ku 42% e djemve dhe 41% e vajzave kanë luajtur lojëra fati në 12 muajt e fundit.
Midis nxënësve të anketuar nga ESPAD që raportojnë se kanë luajtur lojëra fati për qëllime fitimi gjatë vitit të kaluar, shumica dërrmuese (85%) kanë zgjedhur të luanin lojëra fati në vendndodhje fizike, siç janë baret dhe klubet. Kjo përqindje varion nga 68% në Suedi në 98% në Itali dhe 97% në Qipro. Megjithëse prevalenca e lojërave të fatit në vendndodhje fizike midis djemve është thuajse sa dyfishi i prevalencës midis vajzave (25% kundrejt 14%), përqindja e atyre që kanë luajtur në vendndodhje fizike është pak më e lartë midis vajzave (86%) sesa djemve (84%) mesatarisht, ku në shumicën e shteteve vërehen vetëm disa dallime gjinore të vogla.
Përafërsisht dy nga tre (65%) nxënës të anketuar nga ESPAD që raportojnë se kanë luajtur lojëra fati për qëllime fitimi gjatë vitit të kaluar e kanë bërë këtë gjë përmes platformave në internet, qoftë ekskluzivisht në internet ose në kombinim me vendndodhjet fizike. Përqindjet më të larta vërehen në Suedi (81%), Slloveni (77%), Kosovë (76%), Islandë (75%), Mal të Zi (75%), Bullgari dhe Sllovaki (74% secila), ndërsa përqindjet më të ulëta regjistrohen në Itali (28%) dhe Spanjë (44%). Prevalenca e pjesëmarrjes në lojërat e fatit në internet midis djemve (20%) përbën më shumë se dyfishin e prevalencës midis vajzave (8,7%). Edhe midis nxënësve që raportojnë se kanë luajtur lojëra fati për qëllime fitimi gjatë vitit të kaluar, përqindja e atyre që zgjedhin të luajnë në internet është më e lartë midis djemve (70%) sesa midis vajzave (54%). Ndryshe nga lojërat e fatit në vendndodhje fizike, një ndryshueshmëri e konsiderueshme vërehet në dallimet gjinore në të gjitha shtetet: më e larta vërehet në Portugali (80% midis djemve kundrejt 43% midis vajzave), ndërsa asnjë ose dallime gjinore shumë të vogla vërehen në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Moldavi, Islandë, Spanjë, Gjermani dhe Lihtenshtajn.
ESPAD-i gjithashtu vlerëson praninë e një sjelljeje potencialisht të dëmshme në lidhje me lojërat e fatit përmes instrumentit të kontrollit të gënjeshtrave/basteve (Lie/Bet), që përdoret për nxënësit që raportojnë pjesëmarrje në lojëra fati gjatë vitit të kaluar. Përqindja e nxënësve që kanë luajtur lojëra fati, të cilët shfaqin sjellje potencialisht të dëmshme lidhur me lojërat e fatit varion nga më pak se 5% në Lihtenshtajn, Çeki, Ishujt Faroe dhe Monako, deri në maksimumi 22% në Kosovë. Ndërsa mesatarisht dhe në shumicën dërrmuese të shteteve, përqindja e nxënësve që kanë luajtur lojëra fati, të cilët shfaqin sjellje potencialisht të dëmshme lidhur me lojërat e fatit është më e lartë midis djemve (11% kundrejt 4,6% midis vajzave), kjo nuk ndodh në Maltë (7,1% kundrejt 3,7%) dhe Qipro (8,3% kundrejt 5%).
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 2015 deri në vitin 2024
Megjithëse shumë shtete evropiane kanë miratuar rregullore të rrepta për lojërat e fatit gjatë viteve të fundit, me një fokus të shtuar në mbrojtjen e të miturve, pjesëmarrja në lojërat e fatit midis adoleshentëve evropianë ka mbetur e qëndrueshme që kur ESPAD-i nisi për herë të parë hulumtimin e kësaj çështjeje në vitin 2015. Megjithatë, ndryshime të dukshme janë shfaqur me kalimin e kohës.
Konkretisht, pjesëmarrja në lojërat e fatit midis djemve u reduktua disi, nga 32% në vitin 2015 në 30% në vitin 2024, ndërsa u rrit disi midis vajzave, nga 14% në 16% gjatë së njëjtës periudhë.
Lojërat e fatit në internet kanë shënuar rritje të konsiderueshme, me prevalencë në rritje nga 7,9% në vitin 2019 në 14% në vitin 2024. Ndërsa hendeku gjinor lidhur me lojërat e fatit në internet mbetet i vazhdueshëm, normat e pjesëmarrjes u rritën me më shumë se gjysmën midis djemve (nga 13% në vitin 2019 në 20% në vitin 2024) dhe u trefishuan midis vajzave (nga 2,7% në vitin 2019 në 8,7% në vitin 2024).
Përqindja e nxënësve që kanë luajtur lojëra fati, të cilët demonstrojnë një profil potencialisht të dëmshëm lidhur me lojërat e fatit është rritur ndjeshëm, domethënë thuajse është dyfishuar nga 4,7% në vitin 2019 në 8,5% në vitin 2024. Ndërsa kjo përqindje mbetet shumë herë më e lartë midis djemve, rritja është më e theksuar midis vajzave.
Këto shifra nxjerrin në pah peizazhin në ndryshim të lojërave të fatit në adoleshencë, veçanërisht rolin në rritje të lojërave të fatit në internet dhe dinamikën gjinore në zhvillim, që kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të përshtatura.
Videolojërat dhe mediat sociale

Në përgjithësi, 80% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë luajtur lojëra dixhitale të paktën një herë në muajin e kaluar. Rreth 70% kanë luajtur në një ditë shkolle të zakonshme brenda 30 ditëve të fundit, ndërsa 77% kanë luajtur në një ditë pushimi nga shkolla. Në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD, prevalenca e videolojërave në muajin e kaluar është më e ulëta në Kosovë (59%) dhe Moldavi (66%), ndërsa më e larta raportohet në Lihtenshtajn (95%) dhe Gjermani (91%). Djemtë kanë më shumë gjasa të luajnë videolojëra krahasuar me vajzat (89% kundrejt 71%), duke reflektuar një hendek gjinor të qëndrueshëm në përdorimin e videolojërave në të gjitha vendet. Ky hendek është veçanërisht i gjerë në Greqi dhe Islandë, duke variuar nga 33 deri në 35 pikë përqindjeje, ndërsa është minimal ose joekzistent në Qipro, Ukrainë dhe Bullgari (0 deri në 5 pikë përqindjeje).
Brenda 30 ditëve të fundit, 17% e të gjithë nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë luajtur videolojëra për mesatarisht 4 ose më shumë orë në një ditë shkolle të zakonshme, dhe 32% në një ditë pushimi nga shkolla, me norma dy herë më të larta midis djemve krahasuar me vajzat në të dyja rastet.
ESPAD gjithashtu vlerëson rrezikun e vetëperceptuar që lidhet me videolojërat dhe përdorimin e mediave sociale përmes një shkalle prej tre pikash të zhvilluar nga Holstein dhe kolegët në vitin 2014. Sipas autorëve, një rezultat prej 2 ose 3 tregon një rrezik të lartë të vetëperceptuar të problemeve që lidhen me videolojërat dhe përdorimin e mediave sociale.
Në vitin 2024, 22% e nxënësve të anketuar nga ESPAD shënuan midis 2 dhe 3 pikë në shkallën e rrezikut të perceptuar të videolojërave. Ky rezultat është më i ulët në Çeki (12%), Danimarkë (13%), Austri dhe Finlandë (14%) dhe më i lartë në Qipro (37%), Lituani dhe Holandë (të dyja 31%).
Në përgjithësi, djemtë (30%) kanë dy herë më shumë gjasa sesa vajzat (13%) të kenë rezultat pozitiv në shkallën e perceptuar të rrezikut të lidhur me videolojërat. Dallimet gjinore më të mëdha vërehen në Portugali dhe Gjermani, ku djemtë tejkalojnë vajzat me 25-26 pikë përqindjeje. Nga ana tjetër, hendeku është minimal në Qipro (minus 1 pikë përqindje) dhe madje i anasjellë në Holandë, ku vajzat shënojnë 7 pikë përqindjeje më shumë se djemtë.
Sa i takon përdorimit të mediave sociale, thuajse gjysma e nxënësve (47%) shënojnë 2-3 pikë në shkallën e rrezikut të perceptuar në lidhje me përdorimin e mediave sociale. Prevalenca më e lartë vërehet në Austri (58%), Lihtenshtajn (57%) dhe Gjermani (56%), ndërsa më e ulëta është regjistruar në Çeki (29%), Hungari dhe Poloni (të dyja 32%).
Vajzat (53%) kanë më shumë gjasa sesa djemtë (42%) të kenë rezultat pozitiv në shkallën e rrezikut të perceptuar në lidhje me përdorimin e mediave sociale. Në këtë rast, dallimet gjinore përfshihen brenda një diapazoni më të ngushtë, nga 3 në 17 pikë përqindjeje, ku vajzat kanë vazhdimisht rezultate më të larta. Hendeqet më të mëdha vërehen në Ishujt Faroe, Lihtenshtajn dhe Sllovaki (17%).
Gjurmimi i tendencave: ndryshimet e pësuara nga viti 2015 deri në vitin 2024
Gjetjet më të fundit të ESPAD nxjerrin në pah një rritje të konsiderueshme të prevalencës së videolojërave midis nxënësve 16-vjeçarë me kalimin e kohës, duke u rritur nga 47% në vitin 2015 në 80% në vitin 2024. Tendenca është veçanërisht e theksuar midis vajzave, për të cilat prevalenca e videolojërave është më shumë se trefishuar, nga 22% në vitin 2015 në 71% në vitin 2024. Ndërsa djemtë vazhdimisht raportojnë përdorim më të lartë të videolojërave, rritja e tyre është më graduale, duke u rritur nga 71% në vitin 2015 në 89% në vitin 2024. Ngushtimi i hendekut gjinor tregon se videolojërat, që dikur ishin një aktivitet kryesisht mashkullor, janë bërë gjithnjë e më të zakonshme midis vajzave.
Prevalenca e rrezikut të perceptuar në lidhje me videolojërat ka mbetur relativisht e qëndrueshme, me një rritje të lehtë në normat e përgjithshme nga 20% në vitin 2015 në 22% në vitin 2024. Midis djemve, përqindja ka mbetur e qëndrueshme në vlerën rreth 30%, ndërsa midis vajzave, ajo është rritur nga 9,5% në vitin 2015 në 13% në vitin 2024, gjë që është në përputhje me përdorimin e tyre në rritje të videolojërave.
Përdorimi problematik i perceptuar i mediave sociale është rritur në përgjithësi nga 38% në vitin 2015 në 47% në vitin 2024. Rritja ka qenë më e theksuar midis djemve, duke u rritur nga 30% në 41%, ndërsa midis vajzave, norma ka mbetur vazhdimisht e lartë, duke u luhatur në rreth 53-54%.
Mirëqenia mendore

Pas pandemisë së COVID-19 dhe në situata konfliktesh të vazhdueshme në Evropë dhe Lindjen e Mesme, ESPAD-i ka përforcuar fokusin e tij në mirëqenien mendore të adoleshentëve. Efektet e vazhdueshme të izolimit social, ndërprerjet e lidhura me fushën e arsimit dhe paqëndrueshmëria socio-ekonomike kanë përshkallëzuar shqetësimet në lidhje me shëndetin mendor të të rinjve.
Për të vlerësuar dhe monitoruar sistematikisht këtë çështje, anketa e ESPAD-it për vitin 2024 përfshiu për herë të parë "5 Indekset e OBSH-së për Mirëqenien", një matës i validuar i gjendjes mendore bazuar në përvojat jetësore më të fundit. Një rezultat mbi 50 nga 100 konsiderohet tregues i mirëqenies mendore të mirë.
Mesatarisht, 59% e nxënësve raportojnë se kanë një mirëqenie mendore të mirë. Në nivel rajonal, normat më të larta të mirëqenies vërehen në Evropën Veriore, ku Ishujt Faroe (77%), Islanda (75%) dhe Danimarka (72%) tregojnë prevalencën më të lartë. Shteti me normën më të ulët të mirëqenies së vetëraportuar është Ukraina (43%), ku, që nga viti 2022, adoleshentët janë ekspozuar ndaj ngjarjeve traumatike dhe qasjes së kufizuar në kujdesin e shëndetit mendor, pasuar nga Çekia (46%), Hungaria (47%), Qiproja dhe Polonia (49%).
Mirëqenia mendore ka tendencë të jetë përgjithësisht më e lartë midis djemve sesa midis vajzave, si mesatarisht (69% kundrejt 49%) ashtu edhe në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ESPAD. Dallimet gjinore më të mëdha vërehen në Itali (66% midis djemve kundrejt 35% midis vajzave), Poloni (64% midis djemve kundrejt 33% midis vajzave) dhe Suedi (78% midis djemve kundrejt 48% midis vajzave). Dallimet gjinore më të vogla janë regjistruar në Qipro (52% midis djemve kundrejt 46% midis vajzave), Ukrainë (48% midis djemve kundrejt 39% midis vajzave), Ishujt Faroe (83% midis djemve kundrejt 72% midis vajzave) dhe Gjeorgji (75% midis djemve kundrejt 62% midis vajzave).
Aktivitetet parandaluese

Rreth 72% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë marrë pjesë në të paktën një ndërhyrje parandaluese në dy vitet përpara anketës. Këto ndërhyrje variojnë nga aktivitetet ndërgjegjësuese, të përqendruara vetëm në ofrimin e informacionit, deri te programet e bazuara në aftësi, të cilat përfshijnë aktivitete ndërvepruese të projektuara për të zhvilluar aftësitë personale dhe sociale. Kjo është mbledhja e parë e të dhënave që përfshin informacion mbi pjesëmarrjen në programet e parandalimit, duke ofruar njohuri të reja mbi angazhimin e të rinjve në nisma të tilla. Është e rëndësishme të theksohet se jo të gjitha ndërhyrjet parandaluese janë të bazuara në prova.
Më shumë se gjysma e nxënësve (56%) raportojnë se kanë marrë pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese ose informuese mbi substancat e ligjshme dhe të paligjshme ose sjelljet e rrezikshme. Normat e pjesëmarrjes janë më të larta në Sllovaki (77%) dhe Hungari (74%), ndërsa më të ulëtat janë në Kosovë (31%) dhe në Malin e Zi (38%).
Alkooli është tema më e trajtuar, për të cilën 49% të nxënësve raportojnë se kanë marrë pjese në aktivitete informuese. Në nivel kombëtar, përqindjet janë më të lartat në Sllovaki (70%) dhe Kroaci (67%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Kosovë (18%).
Aktivitetet e lidhura me duhanpirjen janë të dytat më të raportuarat, ku kanë marrë pjesë 38% e nxënësve. Normat më të larta të pjesëmarrjes vërehen në Sllovaki dhe Hungari (59%), ndërsa më të ulëtat regjistrohen në Qipro (22%) dhe Gjeorgji (23%).
Vetëm 31% e nxënësve të anketuar nga ESPAD, mesatarisht, raportojnë se kanë marrë pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese ose informuese mbi substancat e paligjshme. Normat e pjesëmarrjes janë më të lartat në Sllovaki (60%) dhe Islandë (56%), ndërsa më të ulëtat janë në Kosovë (10%), Gjeorgji dhe Suedi ( të dyja 11%).
Temat më pak të trajtuara janë sjelljet e rrezikshme jo të lidhura me substancat, të tilla si pjesëmarrja në lojërat e fatit, përdorimi i videolojërave ose çrregullimet e varësisë nga interneti, ku një mesatare prej 28% e nxënësve të anketuar nga ESPAD kanë raportuar pjesëmarrje. Norma më e lartë e pjesëmarrjes regjistrohet në Islandë dhe Slloveni (48%), ndërsa Kosova tregon normën më të ulët (9,4%).
Pjesëmarrja në aktivitetet ndërgjegjësuese ose informuese në lidhje me substancat raportohet më shpesh nga vajzat. Sidoqoftë, për aktivitetet që lidhen me lojërat e fatit, videolojërat dhe çrregullimet e varësisë nga interneti, djemtë (30%) raportojnë përfshirje më të lartë sesa vajzat (24%).
Sa i takon aktiviteteve trajnuese ndërvepruese, të cilat janë komponent kyç i përpjekjeve parandaluese, 55% e nxënësve të anketuar nga ESPAD raportojnë se kanë marrë pjesë në ndërhyrje të përqendruara në zhvillimin e aftësive sociale, të aftësive personale ose të edukimit mediatik. Në nivel kombëtar, pjesëmarrja varion nga 35% në Ishujt Faroe dhe 36% në Suedi, në 71% në Maltë dhe Spanjë dhe 72% në Finlandë.
Lloji më i shpeshtë i raportuar i trajnimit përqendrohet te aftësitë sociale, mesatarisht 41%, duke synuar të rrisë ndërveprimin dhe komunikimin me të tjerët (p.sh. shprehjen e ndjenjave, empatinë dhe menaxhimin e presionit nga bashkëmoshatarët). Finlanda regjistron normën më të lartë të pjesëmarrjes (64%), ndërsa Suedia tregon normën më të ulët (25%).
Një përqindje e ngjashme e nxënësve (40%) raportojnë se marrin pjesë në trajnime të edukimit mediatik, që përqendrohen në analizimin kritik të reklamave dhe përmbajtjeve mediatike për të kuptuar mesazhet e synuara dhe për të zvogëluar prirjen ndaj manipulimit. Këto aktivitete trajnimi kanë qenë më të përhapura në Finlandë (60%) dhe Danimarkë (59%), dhe më pak të zakonshme në Kosovë (20%).
Lloji më pak i përhapur i trajnimit përqendrohet në përmirësimin e aftësive personale, ku përgjithësisht nxënësve u mësohen strategji për të përballuar situatat sfiduese të jetës në një mënyrë të shëndetshme; kjo është raportuar nga pak më shumë se një e treta e nxënësve të anketuar nga ESPAD (36%). Normat më të larta të pjesëmarrjes vërehen në Lituani (56%) dhe Maltë (55%), dhe më të ulëtat në Ishujt Faroe (23%) dhe Suedi (24%).
Në përgjithësi, hendeku gjinor në raportimin e pjesëmarrjes është më i theksuar për këto ndërhyrje, ku 60% e vajzave raportojnë përfshirje krahasuar me 51% të djemve. Ky model mbetet i qëndrueshëm për të gjitha llojet e trajnimeve.
Ndonëse aktivitetet ndërgjegjësuese ose informuese kanë tendencë të jenë më të përqendruara në Evropën Lindore, nismat parandaluese të bazuara në aftësi, të cilat konsiderohen të kenë një potencial më të lartë për efektivitet në krahasim me aktivitetet ndërgjegjësuese ose informuese, janë më të përhapura në Evropën Perëndimore dhe Jugore.
Shtetet pjesëmarrëse
Shtetet e mëposhtme kanë marrë pjesë në botimin e vitit 2024 të anketës së ESPAD:
Austria, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Çekia, Danimarka, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Kosova (1), Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Malta, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Ukraina.
Të dhënat burimore
Të dhënat e përdorura për të gjeneruar vizualizime të të dhënave në këtë faqe mund të gjenden më poshtë, si dhe në katalogun tonë të të dhënave. Ky grup të dhënash mbulohet nga një licencë "Creative Commons Attribution 4.0 International (CC BY 4.0)". Shënim për qëllime autorësie - përdorni "Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD)".
Rreth ESPAD-it
Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD) është një përpjekje bashkëpunuese mes ekipeve kërkimore të pavarura në më shumë se 40 shtete evropiane dhe projekti më i madh kërkimor ndërkombëtar për përdorimin e substancave nga adoleshentët në botë. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të mbledhë vazhdimisht të dhëna të krahasueshme mbi përdorimin e substancave midis nxënësve të moshës 15 deri në 16-vjeçare në sa më shumë shtete evropiane që të jetë e mundur. Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogën (EUDA) është një partner kyç në projektin ESPAD.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen e internetit të ESPAD.
Rreth këtij botimi
Citimi i rekomanduar: Grupi ESPAD (2025), Gjetjet kryesore nga Projekti Evropian për Anketimet në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD) për vitin 2024, Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogën, Lisbonë https://www.euda.europa.eu/publications/data-factsheets/espad-2024-key-findings_en
Identifikuesit
HTML: TD-01-25-003-SQ-Q
ISBN: 978-92-9408-062-2
DOI: 10.2810/1675535
(1) Ky emërtim nuk cenon qëndrimet për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë të Kosovës.